Me grupin e plotë në dispozicion dhe duke vëzhguar me kujdes të gjithë lojtarët. Kombëtarja shqiptare zhvilloi stërvitjen e fundit në shtëpi, përpara udhëtimit drejt Parmas së Italisë.
Aty kuqezinjtë do të luajnë testin ndaj Kilit, të premten në datën 22 mars. Këtë të enjte skuadra e drejtuar nga trajneri Silvinjo do të zhvillojë stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp, përpara duelit në stadiumin “Ennio Tardini”, që nis në orën 20:45.
Një pjesë e konsiderueshme e vëmendjes është te Armando Broja dhe Rey Manaj që janë rikthyer me ngjyrat kuqezi.
Konkurrenca në repartin sulmues është rritur edhe nga afrimi i talentit të Dinamos së Zagrebit, Arbër Hoxha. Gjithashtu në mbrojtje janë rikthyer Marash Kumbulla dhe Naser Aliji, me trajnerin që do ti vëzhgojë të gjithë lojtarët, përpara zgjedhjeve finale në Euro 2024. (A2 Televizion)