
Mesfushori i Bournemouth-it, Alex Scott, do të duhet të presë edhe pak për të bërë debutimin e tij me kombëtaren e Anglisë, pasi nuk është përfshirë në listën e Thomas Tuchel për ndeshjen e kualifikimeve të Botërorit kundër Serbisë, që luhet të enjten në “Wembley”.
Scott dhe mbrojtësi i Crystal Palace, Marc Guehi, do ta ndjekin ndeshjen nga tribuna, pasi Tuchel ka mundur të përfshijë vetëm 23 lojtarë, sipas rregullave të UEFA-s, ndërsa ka grumbulluar gjithsej 25 për dy ndeshjet ndaj Serbisë dhe Shqipërisë.
Guehi po vuan nga një dëmtim në shputë dhe do të rivlerësohet gjatë fundjavës; nëse nuk përmirësohet, pritet të kthehet në klubin e tij për trajtim. Ndërkohë, Alex Scott pritet të ketë mundësi të luajë të dielën ndaj Shqipërisë, ndoshta si zëvendësues, shkruan A2 CNN.
I thirrur për herë të parë në kombëtare, 20-vjeçari tha se kjo është një ëndërr e bërë realitet. “Para gjashtë vitesh luaja futboll amator dhe nuk e dija nëse do bëhesha profesionist. Tani jam këtu, me Anglinë. Është ndjesi e pabesueshme,” tha ai.
Ndërkohë, Morgan Rogers i Aston Villës është rikuperuar nga një shqetësim në kofshë dhe është gati për ndeshjen. (A2 Televizion)
