Pas largimit të Bledi Shkëmbit nga pankina e Tiranës, bardheblutë kanë nisur të mendojnë që tani për zëvendësuesin e tij.
Emrat janë të shumtë, por kryeqytetasit nuk kanë shumë kohë pasi sezoni i ri dhe faza përgatitore do të nisë shumë shpejt. Sipas programit, skuadra do të kthehet në fushë në datën 1 korrik për të nisur zyrtarisht stërvitjen për sezonin e ri, shkruan A2.
Një nga emrat më të përfolur për të marrë drejtimin e Tiranës është Shpëtim Duro. Trajnerit të njohur të futbollit shqiptar i është bërë dhe më parë ky propozim, por atëherë është refuzuar pasi gjendja e skuadrës nuk ka qenë në kushtet që trajneri Duro do të donte.
Me merkaton e verës që është përpara, tekniku 65-vjeçar ka të gjithë mundësinë për të ndërtuar vetë skuadrën. Deri më tani asnjë nga palët nuk ka dhënë asnjë koment më shumë apo detaje konkrete.
Përveç Duros, emrat e tjerë që qarkullojnë janë Ardijan Nuhiji, Ditmar Bicaj apo Qatip Osmani. (A2 Televizion)