
Ish-mesfushori i Interit Assane Gnoukouri, i cili është aktivizuar edhe në Champions League nga zikaltërit, është njohur si viktimë e trafikut të qenieve njerëzore nga Bregu i Fildishtë, në një proces që ka çuar në ndryshimin e emrit të tij.
27-vjeçari ishte përfshirë në një operacion të vitit 2017 në Parma, që çoi në arrestimin e tre personave, të akuzuar për dhënien e ndihmës, nxitjen e emigracionit dhe falsifikim dokumentesh që mundësonin hyrjen e paligjshme të futbollistëve në Itali.
Mes të arrestuarve bënte pjesë agjenti Giovanni Damiano Drago që e kishte sjellë mesfushorin në Itali dhe babai i tij birësues, i cili kishte deklaruar se futbollisti ishte djali i një shtetasi nga Bregu i Fildishtë, tashmë banues në Itali.
Një situatë fatkeqe që e detyroi Gnoukouri të jetonte si shtetas i paligjshëm dhe madje të rrezikonte dëbimin nga vendi, duke shkatërruar pjesërisht një karrierë që e pa atë të luante në një derbi të Milanos në një moshë fare të re.
"Më thonë se dokumentet janë false, por unë nuk e kam bërë falsifikimin. Nuk është e vërtetë. A e dini se çfarë më mërziti? Se unë dhashë zemrën time dhe i besova agjentit tim. Për babain tim birësues, sepse unë e humba familjen timen si fëmijë dhe me të sillesha si të ishte babai im i vërtetë. Për Interin, sepse kam punuar gjithmonë shumë. Kondogbia, Brozovic, Perisic, Biabiany, të gjithë më donin. Dhe Mançini më besoi. Me kaq shumë lojtarë të fortë, më pa në sy dhe më zgjodhi mua", shprehej lojtari pak kohë më parë.
Më 31 tetor Gnoukouri më në fund ia ka dalë të marrë një leje të rregullt qëndrimi duke i dhënë fund një makthi që kishte disa vite që vazhdonte dhe pritet të luajë sërish pa frikën se do të largohet nga Italia.
Ish-futbollisti është njohur si viktimë e trafikimit të qenieve njerëzore nga Bregu i Fildishtë dhe kjo e lejoi atë të kthehej për të jetuar rregullisht në Itali, duke ndryshuar identitetin e tij në Alassane Traoré.
Pas dështimit për t'u transferuar në Udinese, mesfushori është gati të rifillojë me një jetë të re dhe një identitet të ri duke qenë se tani do të quhet Alassane Traoré.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur te ekipi zikaltër në vitin 2002, me brazilianin Eriberto që përdori pasaportën e një fqinji për pjesën më të madhe të karrierës, deri sa u zbulua dhe u dënua me 6 muaj pezullim. (A2 Televizion)