Shqipëria do të zbresë në fushë si skuadër favorite në Kishinau. Pavarësisht se luan në transfertë kundër Moldavisë, kuqezinjtë cilësohen si ekipi më i mirë dhe që ka më tepër gjasa të fitojë në përballjen e 17 nëntorit.
Kompanitë ndërkombëtare e kuotojnë 1,8 triumfin e kuqezinjve, fitorja e moldavëve është 4,75, ndërsa barazimi 3,4.
Për sa i takon duelit tjetër të Grupit E kualifikues, Polonia cilësohet lehtësisht favorite në sfidën me Republikën Çeke. Shqipëria shihet në pozita kaq komode prej faktit që kryeson me 13 pikë dhe është paraqitur si skuadra më e mirë e grupit.
Kuqezinjtë fituan me rezultatin e pastër 2-0 ndeshjen e kaluar ndaj Moldavisë, të luajtur në qershor në Arenën Kombëtare. Ajo sfidë u vendos nga supergoli i Jasir Asanit dhe rrjeta e shkëlqyer e Nedim Bajramit.
Kjo do të jetë përballja e shtatë në histori e Kombëtares kuqezi me moldavët, të cilët janë një përfaqësuese që në arenën ndërkombëtare ka debutuar vetëm në vitin 1991.
Në gjashtë sfidat e mëparshme, Shqipëria ka regjistruar 5 fitore dhe një barazim. Fakti më i rëndësishëm është se sukseset përballë moldavëve janë regjistruar të gjithë në ndeshje kualifikuese, teksa barazimi lidhet me miqësoren e vitit 2012 në Tiranë. (A2 Televizion)