Qatip Osmani nuk ka humbur shumë kohë dhe është prezantuar si trajneri më i ri i Strugës. Vetëm një muaj më parë, ai u shkarkua nga stoli i Vllaznisë, ndonëse ishte brenda objektivave të klubit kuqeblu.
Mirëpo duket se pushimet e 54 vjeçarit nuk kanë qenë shumë të gjata. Ai është emëruar në krye të kampionëve të Maqedonisë së Veriut ku edhe sezonin e ri, kanë një projekt serioz dhe ambicioz për të ardhmen.
Ka qenë vetë faqja e klubit që njoftoi tifozët se marrëveshja është arritur dhe trajneri Osmani do të debutojë në Kupat e Europës me skuadrën e Strugës.
Më parë, 54-vjeçari ka qenë trajner i Shkëndijës, Renovës dhe Shkupit në Maqedoninë e Veriut, teksa ka fituar tre herë titullin kampion me Shkëndijën e Tetovës. (A2 Televizion)