Pesë vite pas përballjes së fundit zyrtare, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi mund të rikthejnë rivalitetin mes tyre, këtë herë në Saudi Pro League. Takimi i fundit zyrtar mes tyre daton në dhjetor 2020, kur Juventusi i Ronaldos mposhti Barcelonën në "Camp Nou", në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Që prej asaj kohe, të dy kanë ndërruar kontinent dhe ligë, por fansat mund të shpresojnë sërish për një përballje epike.
CR7 sapo ka rinovuar kontratën me Al Nassr deri në qershor 2027, duke u zotuar të luajë deri në moshën 42-vjeçare. Nga ana tjetër, Al Hilal, klubi që tashmë drejtohet nga Simone Inzaghi, po përgatit një tjetër “goditje” në merkato, transferimin e Lionel Messit. Babai i yllit argjentinas, Jorge Messi, pritet të takohet këto ditë me drejtuesit sauditë për të shqyrtuar një kalim të mundshëm, shkruan A2 CNN.
Vitin e kaluar, Al Hilal i kishte ofruar Messit një kontratë rekord prej 1.4 miliardë euro, por ai e refuzoi për shkak të dëshirës së familjes për të jetuar në SHBA. Tani, me ndryshime të mundshme në horizont, një marrëveshje nuk përjashtohet, dhe kjo do të sillte përsëri përballjen më të ndjekur në historinë e futbollit modern.
Messi dhe Ronaldo janë përballur 36 herë, ku argjentinasi ka dalë fitues 16 herë, përkundër 11 fitoreve të Ronaldos, ndërsa 7 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Edhe në gola, Messi kryeson me 22, ndaj 21 të portugezit. (A2 Televizion)