Tare nis operacionin “fshesa” te Milani

Nga A2 CNN
26 Qershor 2025, 16:20 | Futboll

Tare nis operacionin “fshesa” te Milani

Milani ka nisur operacionin "fshesa" për të krijuar hapësira në organikë dhe në bilanc, ndërsa përgatitet për afrime të reja. Pas paraqitjes së planeve të merkatos nga Igli Tare, tashmë po punohet intensivisht për largimet.

I pari që mund të thotë lamtumirë është Emerson Royal. Mbrojtësi brazilian ishte pranë largimit edhe verën e kaluar, por një dëmtim e mbajti jashtë fushave. Tani, ai mund të rikthehet te Real Betis, ku ka luajtur nga 2019 deri në 2021. Agjenti i tij është parë në selinë e klubit spanjoll për të negociuar një huazim njëvjeçar, me ose pa të drejtë blerjeje.

Emerson iu bashkua Milanit verën e kaluar nga Tottenham për rreth 15 milionë euro plus bonuse. Por ai nuk do të jetë i vetmi që do të largohet. Në listën e pritjes për t’u larguar janë edhe Bennacer, Adli, Okafor, Chukwueze dhe Musah, me transferimin e këtij të fundit drejt Napolit tashmë të dështuar. Pobega dhe Colombo janë gjithashtu në dyshim; Colombo mund të përfshihet në marrëveshjen për Ricci me Torinon.

Gjithashtu, Theo Hernandez pritet të transferohet te Al Hilal, çka do të detyrojë klubin të sjellë një tjetër mbrojtës të majtë, përveç një të djathti. Në qendër, i rrezikuar është Malick Thiaw, që kërkohet nga Bayer Leverkusen dhe Como. Kjo e fundit i ka ofruar 4 milionë euro në sezon. Como dhe Milani po negociojnë gjithashtu për Álvaro Morata, aktualisht te Galatasaray. Përfundimi i marrëveshjes varet nga ndërprerja e huazimit të tij me klubin turk. Sipas La Gazzetta dello Sport, Como është gati të investojë 45 milionë euro për të dy lojtarët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos