Rikthim pas 10 vjetësh, Napoli emëron Maxarrin në stol

Nga Erald Kodhelaj
14 Nëntor 2023, 15:41 | Futboll

Rikthim pas 10 vjetësh, Napoli emëron Maxarrin në stol

Napoli largon Rudi Garcia dhe zgjedh trajnerin e ri. Stoli i besohet Valter Maxarri-t. Marrëveshja u arrit dhe është e vlefshme deri në qershor të vitit 2024.

Maxarri kthehet të drejtojë për herë të dytë në karrierë Napolin, 10 vjet pas eksperiencës së parë. Në të kaluarën, tekniku i drejtoi tëkaltërit nga viti 2009 deri në 2013-ën. Ato ishin katër sezone të nivelit të lartë dhe me arritje të rëndësishme.

Rezultate historike, siç ishte triumfi në Torino përballë Juventusit për herë të parë në 21 vjet, ndërsa skuadra regjistroi edhe rikthimin në Champions League pas dy dekadave.

Një paraqitje mbresëlënëse, ku u kualifikuan edhe pse kishin në grup skuadra si Bayern, Mançester Siti dhe Vijareal. Me emra si Hamsik, Laveci dhe Kavani, ata bënë të vuanin Çelsin, që do të ishte kampione e ardhshme e Europës.

Ai sezon u mbyll me pozicionimin në vendin e gjashtë në kampionat, por më 20 maj 2012, Napoli i Maxarri-t fitoi Kupën e Italisë përballë Juventusit. Ishte hera e parë në 22 vjet që të kaltrit e merrnin këtë trofe.

Sezoni 2012-2013 ishte i fundit për trajnerin në stolin e Napolit. Edhe pse humbën Superkupën e Italisë në Pekin përballë Juventusit, ata u pozicionuan në vendin e dytë në kampionat, duke u kualifikuar direkt në Champions.

Në verë, Maxarri u dha lamtumirën dhe shkoi te Interi, por padyshim që në ato katër vite ka shkruar një prej faqeve më të rëndësishme në historinë e klubit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos