Ndeshje zbavitëse në Wembli ndërmjet Anglisë dhe Belgjikës. Miqtë zhbllokuan rezultatin pas vetëm 11 minutave lojë me Tilemans, që përfitoi nga gabimi i portierit Pikford dhe e ndëshkoi.
Përgjigja e Tre Luanëve nuk vonoi me rrjetën e barazimit të shënuar nga Toney me penallti në të 17-ën. Kjo ishte rrjeta e tij e parë në debutimin si titullar në përfaqësuese.
Belgjika vijoi të luante më mirë në fraksionin e parë dhe kaloi sërish në epërsi me rrjetën e dytë të Tilemans. Mesfushori i Aston Vilës i dha avantazhin Djajve të Kuq në minutën e 36-të, duke shfrytëzuar një tjetër gafë të kundërshtarëve, këtë herë nga Dunk.
Për të evituar humbjen e Anglisë mendoi Bellingham në minutën e 95-të, duke shfrytëzuar asistin e Madison pas një topi që dukej thuajse i humbur.
Pas leksionit që i dha Francës, Gjermania nuk ndalet. Pancerat mposhtën 2-1 me përmbysje edhe Holandën në miqësore. Për golin e parë të sfidës u nevojitën më pak se katër minuta lojë.
Shkëputja e Depay nga krahu solli avantazhin e holandezëve me Vermann, që ishte perfekt në goditjen fluturimthi. Reagimi i gjermanëve ishte i menjëhershëm me Mitelshtadt.
Mbrojtësi i krahut të Stuttgart barazoi me një goditje të shkëlqyer me të majtën, që fillimisht u përplas në shtyllë dhe më pas përfundoi në rrjetë.
Edhe pse në startin e pjesës së dytë skuadra e Nagelsman lëshoi terren, me kalimin e kohës ajo mori kontrollin e fushës. Pas një ore lojë, Pancerat nisën ofensivën në kërkim të golit të fitores, që erdhi në të 85-ën me Fullkrug.
Pas humbjes me Gjermanin, Franca është rikthyer tek fitorja, pasi mundi 3-2 Kilin në miqësore. Gjelat mundën me përmbysje amerikanojugorët në një ndeshje që rezultoi më e vështirë nga sa pritej. Miqtë befasuan që në fillim me Nunez që në minutën e gjashtë.
Megjithatë festa zgjati shumë pak, pasi po në pjesën e parë francezët shënuan dy gola . Fillimisht Fofana dhe pas tij Kolo Muani kthyen rezultatin në favor të Francës.
Edhe pjesa e dytë ishte e luftuar nga të dyja skuadrat. Oliver Giroud la dhe gjurmën e tij ndërsa Osorio mbylli sfidën me shifrat 3-2.
Tekniku Deschamp ende nuk i ka marre sinjalet e duhura nga skuadra në prag të Europianit, aty ku gjelat janë në grupin D, së bashku me Poloninë, Holandën dhe Austrinë.
Zvicrës i mjaftoi një gol për të fituar në miqësoren me Irlandën. Protagonisti i vetëm i takimit ishte shqiptari Xherdan Shaqiri që realizoi një perlë nga goditja e dënimit dhe la në vend portierin kundërshtar.
Në fund të ndeshjes , shqiptari i Kosovës u shpall dhe lojtari i ndeshjes. Një test i mirë ky për kombëtaren zviceriane që e presin kundërshtarë të vështirë në Europian.
(A2 Televizion)