Rubiales shpallet fajtor për “puthjen e turpit”, por i shpëton burgut

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2025, 14:23 | Futboll

Rubiales shpallet fajtor për “puthjen e turpit”, por i

Ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, është shpallur fajtor për sulm seksual nga Gjykata e Lartë e Spanjës për puthjen pa pëlqim të futbollistes Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës 2023. Ai është dënuar me një gjobë prej 10 800 eurosh dhe është ndaluar t’i afrohet Hermosos brenda një rrezeje prej 200 metrash për një vit, shkruan A2 CNN, por i shpëtoi burgut.

Rubiales u shpall i pafajshëm për akuzën e shtrëngimit, ndërsa tre ish-bashkëpunëtorët e tij – ish-trajneri Jorge Vilda, Rubén Rivera dhe Albert Luque – u liruan nga akuzat për bashkëpunim në përpjekjet për ta detyruar Hermoson të pohonte se puthja kishte qenë konsensuale.

Ngjarja ndodhi më 20 gusht 2023, kur Spanja mundi Anglinë në finalen e Kupës së Botës në futboll për femra në Sidnei. Ndërsa lojtaret spanjolle po merrnin medaljet, Rubiales e kapi Hermoson nga koka dhe e puthi në buzë, një veprim që shkaktoi zemërim dhe protesta të shumta në Spanjë dhe jashtë saj.

Në dëshminë e saj, Hermoso këmbënguli se nuk kishte dhënë pëlqimin për puthjen dhe se kjo kishte njollosur një nga ditët më të lumtura të jetës së saj. Ndërsa Rubiales pretendonte se veprimi ishte “një akt afeksioni” dhe “diçka spontane”.

Skandali nxiti një lëvizje të madhe kundër seksizmit në futbollin spanjoll, me shumë lojtare që kërkuan trajtim të barabartë me kolegët meshkuj. Pas javësh rezistence dhe pasi FIFA e pezulloi nga detyra, Rubiales dha dorëheqjen në shtator 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos