Serbi-Shqipëri vendimtare për një vend në Botëror, TKZ organizohen për të mbështetur Kombëtaren

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 13:18 | Futboll

Serbi-Shqipëri vendimtare për një vend në Botëror, TKZ

Grupimi “Tifozat Kuqezi” kanë njoftuar se do të mblidhen në një organizim special për të mbështetur të shtunën Kombëtaren shqiptare për ndeshjen kundër Serbisë, të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës.

“Ashtu si në vitin 2014, të shtunën mblidhemi te “Sheshi Italia” në Tiranë për të ndjekur së bashku ndeshjen kundër shkijeve, në një ekran të vendosur nga ne. Le të bashkohemi, të këndojmë me gjithë zemër dhe në fund të festojmë fitoren!”, njofton TKZ në rrjetet sociale, përcjell A2 CNN.

Të enjten, Kombëtarja shqiptare zhvilloi seancën e fundit stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” nën drejtimin e trajnerit Silvinjo, për t’u nisur të premten drejt Nishit e më pas Leskovacit, ku edhe do të zhvillohet takimi i shumëpritur.

Stërvitja u fokusua te përgatitja atletike, loja me top dhe provimi i skemave të ndryshme, duke përfshirë edhe goditjet në portë.

Në orën 16:30 do të zhvillohet konferenca zyrtare para ndeshjes me trajnerin dhe një lojtar, në stadiumin “Gradski stadion Dubočica”, në Leskovac.

Pas konferencës, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e fundit në orën 17:30 për të mbyllur përgatitjet për sfidën ndaj Serbisë.

Para kësaj sfide, Shqipëria mban vendin e dytë në grupin K, me 8 pikë në 5 takime të luajtura, ndërsa Serbia ka 7 pikë me një ndeshje më pak. Anglia kryeson grupin me 15 pikë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos