Talenti argjentinas Nico Paz pritet të rikthehet te Real Madrid verën e ardhshme, por Como mund të përfitojë shumë më tepër nga sa parashikonte klauzola fillestare. Marrëveshja mes dy klubeve parashikon që “Los Blancos” ta rikthejnë mesfushorin për vetëm 9 milionë euro, por falë një marrëveshje mes drejtuesve të të dyja palëve, kjo shumë mund të rritet ndjeshëm.
Sipas mediave italiane, Real Madrid dhe Como kanë rënë dakord të mos pranonin ofertën e majme të Tottenhamit në fund të merkatos, që kishte vlerën e 70 milionë eurove për 19-vjeçarin. Klubi italian do të përfitonte vetëm gjysmën e shumës (rreth 35 milionë euro), pasi Real-i zotëronte 50% të të drejtave. Megjithatë, madrilenët kanë pranuar të shpërblejnë punën e Como-s për zhvillimin e lojtarit, i cili është rritur dhe afirmuar nën drejtimin e trajnerit Cesc Fabregas.
Në fund të sezonit, Real Madrid pritet të aktivizojë klauzolën e rikthimit, por duke negociuar një pagesë më të lartë, që mund të arrijë deri në 30 apo 40 milionë euro, si vlerësim për progresin e bërë nga Paz në Itali. Kështu, edhe pse Como do ta humbasë “yllin”, marrëdhëniet e ngushta me Realin pritet të sjellin një përfitim financiar shumë më të madh se 9 milionët fillestare. (A2 Televizion)