Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij, si fituese e zgjedhjeve do t’i drejtohet Presidencës me emrin e mandatarit për Qeverinë e Kosovës.
Këtë njoftim ai e ka bërë gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, pas konstituimit të organit ligjvënës.
“Kryeministri [në detyrë i Kosovës, Albin Kurti] më njoftoi se, si kryetar i partisë më të madhe në vend, kryetarja e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si subjekt fitues i zgjedhjeve, Arbërie Nagavci, do ta dërgojë emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë te presidentja e vendit, sipas procedurës ligjore”, shkroi Basha në një postim në Facebook.
Megjithatë, nuk u bë e ditur se kur do të dërgohet emri i mandatarit te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Lëvizje Vetëvendosje e ka propozuar Kurtin edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie të mbajtur më 7 shtator.
Basha tha se gjatë takimit me Kurtin po ashtu biseduan për “rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional” dhe realizimit të agjendës legjislative gjatë legjislaturës së nëntë.
Kuvendi përmbylli seancën konstituive – të nisur më 15 prill – pasi deputetët zgjodhën Nenad Rashiqin në postin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – e cila ka nëntë ulëse në Kuvend, e ka kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit, duke paralajmëruar se do të ankohet për këtë vendim të deputetëve të marrë më 10 tetor.
Rashiq u zgjodh nënkryetar pasi asnjë nga nëntë deputetët e Listës Serbe – edhe pse u hodhën nga tri herë në votim – nuk arritën të merrnin 61 votat e nevojshme.
Sipas ligjeve në fuqi, pas konstituimit të Kuvendit hapet rruga për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Partia fituese e zgjedhjeve, në këtë rast LVV-ja, duhet t’i dërgojë presidentes Osmani emrin e mandatarit për Qeverinë e re.
Ai më pas jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, duhet të paraqesë përbërjen e ekzekutivit para Kuvendit dhe të kërkojë miratimin nga ana e Kuvendit.
Qeveria e propozuar duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar.
Me 48 ulëse të fituara në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund ta sigurojë shumicën e nevojshme pa një partner koalicioni.
Në rast se nuk arrin të mbledhë 61 vota, Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh të ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Mandatari më pas ka po ashtu 15 ditë kohë për të paraqitur para Kuvendit për miratim përbërjen e re qeveritare.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh./ REL (A2 Televizion)