Sfida epokale mes Liverpool e Real, Juve kundër Aston Villas

Nga A2 CNN
27 Nëntor 2024, 10:35 | Futboll

Sfida epokale mes Liverpool e Real, Juve kundër Aston Villas

Një finale e parakohshme. E mërkura e Champions League rezervon sfidën epokale ndërmjet Liverpool dhe Real Madrid. Sfida ndërmjet dy prej klubeve më të dekoruara në Europë është në qendër të vëmendjes, në përballjet e ditës së pestë.

Dy skuadrat prestigjioze sfidohen në “Anfield”. Liverpool është skuadra më e mirë në botë për momentin, ku kryeson në Premier League dhe ka ecuri perfekte në Champions-in me formatin e ri.

Arne Slot ka krijuar një makineri perfekte, duke bërë që edhe paqartësitë rreth së ardhmes së Mohamed Salah të mos ndikojnë, me egjiptianin që ka shënuar 12 gola.

Në anën tjetër, Reali është në situatë të vështirë. Kampionët në fuqi të Europës kanë pësuar dy humbje në arenën ndërkombëtare dhe një disfatë e tretë përballë Liverpool mund t’i komprometojë vendin mes tetë skuadrave që kualifikohen direkt në fazën tjetër.

Problem akut për trajnerin Ancelotti janë edhe mungesat e gjashtë yjeve. Militão-s, Alaba-s, Carvajal, Tchouaméni dhe Rodrygo-s i është shtuar edhe Vinícius Junior, që nuk udhëtoi në Angli. Tani pesha e sulmit do të bjerë mbi Kylian Mbappe.

Sfidë e madhe edhe ajo ndërmjet Aston Villa dhe Juventus. Të rikthyer në turneun më prestigjioz pas më tepër se 40 vjetësh, anglezët kishin një start ëndrrash me tre fitore në tre ndeshjet e para. Humbja zhgënjyese kundër Club Brugge e ktheu me këmbë në tokë ekipin e Unai Emery.

Në anën tjetër, Juventusi duhet të përballet me dëmtimet e shumta. Vlahovic mbetet në dyshim, McKennie nuk është në dispozicion dhe mund të jetë radha e Weah të bërë rolin e nëntës false. Mes mungesave edhe Nico Gonzalez, teksa shpresat e bardhezinjve janë të treshja Conceicao-Koopmeiners-Yildiz.

Në takimet e tjera, Borussia Dortmund luan në Zagreb kundër Dinamos, Bologna pret Lille, teksa spikat përballja Monaco-Benfica. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos