Shënoi golin e vetëm ndaj Paraguajit, Kylian Mbappe, futbollisti i rekordeve te Franca

Nga Dea Kozma
5 Korrik 2026, 13:48 | Futboll

Shënoi golin e vetëm ndaj Paraguajit, Kylian Mbappe, futbollisti i

Kur flet për Francën e sotme, emri i parë që të vjen ndër mend është Kylian Mbappé. Sulmuesi 27-vjeçar nuk po udhëheq vetëm "Les Bleus" drejt suksesit në Botërorin 2026, por po thyen një rekord pas tjetrit, duke u kthyer në futbollistin më të rëndësishëm në historinë moderne të kombëtares franceze.

Gjithçka nisi që në ndeshjen e parë të turneut ndaj Senegalit, kur dy golat e realizuar e çuan në kuotën e 58 golave me fanellën e Francës, duke kaluar Olivier Giroud dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtares. Një rekord që shumëkush mendonte se do të mbetej i paprekshëm për vite me radhë. Por Mbappé nuk u ndal me kaq. Ai është tashmë edhe golashënuesi më i mirë i Francës në historinë e Kupës së Botës. Goli vendimtar ndaj Paraguajit në fazën e 1/8-ave e çoi në 19 gola në Botëror, ndërsa Francën në çerekfinale.

Mbappé është lojtari me më shumë gola në fazat me eliminim direkt të Botërorit, plot 10 si dhe futbollisti me më shumë ndeshje të Kupës së Botës ku ka realizuar dy ose më shumë gola, një tregues i aftësisë së tij për të bërë diferencën pikërisht në momentet më të rëndësishme.

Në Botërorin e Amerikës së Veriut, kapiteni francez vazhdon të udhëheqë edhe garën për "Këpucën e Artë", ndërsa me 19 gola në total është vetëm një hap larg rekordit absolut të golave në historinë e Kupës së Botës. Çdo ndeshje e Francës mund të sjellë një tjetër faqe historie për sulmuesin e Real Madridit.

Nga kampion bote në moshën 19-vjeçare, te lideri dhe rekordmeni i Francës, rrugëtimi i Kylian Mbappé vazhdon të shkruhet me ritme të jashtëzakonshme. Dhe nëse "Les Bleus" synojnë një tjetër trofe botëror, shumë nga shpresat e tyre mbajnë emrin e një lojtari që tashmë ka hyrë përgjithmonë në historinë e futbollit francez.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos