Kombëtarja shqiptare barazoi 0-0 ndeshjen ndaj Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës. Në ndeshjen e luajtur në stadiumin Kombëtar, Kuqezinjtë krijuan raste shumë të mira, duke siguruar dhe një penallti, e cila u prit nga portieri kundërshtar. Ndeshja nisi e barabartë, por me kalimin e minutave Shqipëria e rriti ritmin dhe krijoi disa raste të mira.
Në fundin e pjesës së parë, kuqezinjtë fituan 11-metërsh me Hysajn. Rey Manaj e mori përsipër, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri i Serbisë. Edhe në pjesën e dytë, ekipet krijuan mundësi shënimi, por pa gjetur rrjetën. Shqipëria rrezikoi me Brojën, Dakun dhe Bajramin.
Në fund, sfida u mbyll në barazim 0-0. Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës kualifikuese për Kupën e Botës më 10 qershor, ndaj Letonisë në transfertë, në orën 20:45.
Pas ndeshjes lojtarët Elseid Hysaj dhe Berat Gjimshiti thanë se e meritonin fitoren dhe bënë një ndeshje të mirë, por në futboll ndodh gjithçka. Tashme përqendrimi është te sfida me Letoninë. (A2 Televizion)