Sylvinho: Krenar për të gjithë! Për Manajn vendosa unë, Broja s'kishte më oksigjen

Nga A2 CNN
8 Qershor 2025, 00:17 | Futboll
Sylvinho: Krenar për të gjithë! Për Manajn vendosa unë,

 

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka folur me emocione dhe krenari pas barazimit 0-0 ndaj Serbisë në “Air Albania”, më 7 qershor 2025. Në një deklaratë të gjatë për mediat, ai vlerësoi përpjekjen e lojtarëve, angazhimin psikologjik dhe forcën e karakterit të skuadrës, ndërsa pranoi se rezultati ishte zhgënjyes krahasuar me lojën e zhvilluar.

“Unë si gjithmonë marr çdo përgjegjësi,” tha Sylvinho në fillim të deklaratës, duke iu referuar penalltisë së humbur nga Rey Manaj. Ai theksoi se vendimi për ta vendosur Manajn si ekzekutues ishte i tij dhe se gabime të tilla ndodhin edhe te lojtarët më të mëdhenj.

“Manaj ka shumë ndeshje me kombëtaren dhe e respektoj, është një nga ata që luajnë me zemër. Gaboi, ndodh. Por ka bërë një paraqitje shumë të bukur,” tha trajneri brazilian, duke shtuar se është krenar për gjithë skuadrën dhe për përkrahjen nga publiku shqiptar.

Sylvinho foli hapur edhe për sfidat fizike që përballoi ekipi gjatë ndeshjes, duke përmendur lodhjen dhe mungesën e ritmit të disa lojtarëve:

“Për Brojën është i njëjti problem, që është gjithmonë i dëmtuar. Sa kohë ka që nuk luan 90 minuta? Ishte i lodhur. Në pjesën e dytë bëri një shkëputje, por nuk kishte më oksigjen.”

Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Manajt, i cili pavarësisht një gripi që e mbajti larg stërvitjes për dy ditë, zhvilloi një ndeshje të fortë. “Edhe Hoxha ishte i vdekur,” shtoi ai, duke theksuar se lodhja ishte e përgjithshme për shumë lojtarë, por sërish ekipi dha maksimumin.

Trajneri kuqezi nënvizoi me krenari faktin se tashmë Shqipëria ka një grup të gjerë dhe cilësor lojtarësh për të zgjedhur:

“Një vit më parë kishim 14-15-16 lojtarë. Sot kemi 22-23. Është bukur kur trajneri kundërshtar pyet: kush luan? Uzuni, Asani apo Broja? Hoxha, Muçi apo Bajrami? Kjo është shumë e rëndësishme për strategjinë tonë.”

Ai theksoi se ndryshimet në mesfushë dhe në krahë kanë sjellë energji të reja në ekip dhe vlerësoi hyrjet nga stoli si vendimtare për ruajtjen e intensitetit në nivele të larta.

Në lidhje me dëmtimin e Berat Gjimshitit, Sylvinho deklaroi se situata e tij do të vlerësohet ditën pas ndeshjes. Megjithatë, ai përmendi me entuziazëm Adrian Bajramin, një qendërmbrojtës i ri që po shkëlqen: “Ai po çmend, po luan shumë mirë. Do të shkojë në SHBA për të luajtur me Benfikën në Botëror.”

Sylvinho shtoi se “kemi 5 qendërmbrojtës dhe kjo është shumë e mirë për zgjedhje”.

Sylvinho theksoi se ndonëse rezultati nuk ishte ai që pritej, loja e treguar ishte një dëshmi e rritjes së skuadrës:

“Kemi bërë një ndeshje shumë të bukur. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por lojtarët dhanë gjithçka. Jam krenar për ta.”

Pavarësisht mungesës së fitores, Kombëtarja shqiptare konfirmoi se është në rrugën e duhur, me një ekip që lufton, rritet dhe bashkëjeton si një trup i vetëm – një sinjal i qartë se ëndrra për një tjetër kualifikim të madh mbetet e gjallë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos