S’ka bileta në shitje për sfidën me Shqipërinë, Serbia del me vendim ekstrem

Nga A2 CNN
3 Tetor 2025, 19:02 | Futboll

S’ka bileta në shitje për sfidën me Shqipërinë,

Ndeshja e shumëpritur mes Serbisë dhe Shqipërisë, e cila do të luhet më 11 tetor në stadiumin “Dubocica” në Leskovac, do të zhvillohet pa praninë e tifozëve të zakonshëm. Federata Serbe e Futbollit ka marrë një vendim drastik, duke mos lejuar shitjen publike të biletave, për arsye sigurie.

Sipas njoftimit zyrtar të FSS, nuk do të dalë asnjë biletë në shitje, ndërsa pjesëmarrja në stadium do të mundësohet vetëm për persona të identifikuar dhe të përzgjedhur në mënyrë të kontrolluar. Po ashtu hyrja në stadium do të jetë e mundur vetëm me biletë të personalizuar dhe dokument identifikimi (kartë ID ose pasaportë).

Ky vendim është marrë në konsultim me FIFA-n, UEFA-n dhe Ministrinë e Brendshme të Serbisë, si dhe për shkak të historisë së ndeshjeve mes dy përfaqësueseve. FSS kujton se incidentet e rënda të vitit 2014 në Beograd, kur ndeshja u ndërpre dhe Serbia humbi një vend në Euro 2016, kanë qenë një pikë kthese. Kësaj here, organizatorët duan të shmangin çdo problem dhe ta zhvillojnë ndeshjen në kushte të rregullta dhe të sigurta.

Sakaq, FIFA ka shpallur këtë ndeshje si një nga më të rrezikshmet për sigurinë, ndërsa në stadium nuk do të lejohen tifozë shqiptarë, në përputhje me rekomandimet e autoriteteve ndërkombëtare dhe vendase.

Biletat do të shpërndahen përmes listave të mbyllura, vetëm për:

1-Federatat rajonale të futbollit
2-Klubet vendase
3-Nxënësit e shkollave të futbollit dhe prindërit e tyre
4-Organizatat profesionale dhe amatore të futbollit
5-Sponsorët zyrtarë dhe mysafirët e FSS
6-Mediat e akredituara
7-Stafin mjekësor dhe operativ të ndeshjes (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos