Skandali me tifozët ultras, nga Calabria tek Inzaghi, ata që rrezikojnë skualifikimin

Nga Dea Kozma
1 Tetor 2024, 13:58 | Futboll

Skandali me tifozët ultras, nga Calabria tek Inzaghi, ata që

Mega operacioni i policisë në Itali, që solli shoqërimin e 19 drejtuesve të grupimeve ultras të Milanit dhe Interit, mund të ketë pasoja edhe për disa pjesëtarë të skuadrave.

Prokuroria e Federatës Italiane të Futbollit ka marrë në dorëzim dosjen e autoriteteve të qytetit të Milanos, për të verifikuar sjelljen dhe veprimet e lojtarëve apo trajnerëve, përballë presioneve apo kërkesave të grupimeve të organizuara.

Nga përgjimet e telefonatave kanë dalë menjëherë emrat e trajnerit të Interit, Simone Inzaghi, kapitenit të Milanit, Davide Calabria dheish-mbrojtësit zikaltër, tashmë pjesë e Paris Saint Germain, Milan Skriniar, shkruan A2.

Hetuesit e federatës po përqendrohen te bisedat telefonike të trajnerit të Interit, por edhe takimeve që kanë zhvilluar mbrojtësi sllovak dhe mbrojtësi italian. Nga zbardhja e bisedave do të përcaktohet nëse tre të federuarit kanë marrë apo jo kërcënime.

Sipas nenit 25 te Kodit të Drejtësisë Sportive, të gjithë të federuarve, që janë pjesë aktive e kampionatit, u ndalohen bisedat me tifozët e organizuar. Në këtë rast, personat e përfshirë rrezikojnë nga gjobë deri në skualifikim për një apo më tepër ndeshje, ndërsa drejtuesve u ndalohet përkohësisht ushtrimi i detyrës.

Nga skandali me ultras-ët pritet të shpëtojnë klubet e Interit dhe Milanit, të cilët nuk kanë përgjegjësi objektive për veprimet e tifozëve apo të të punësuarve dhe rrjedhimisht nuk rrezikojnë heqjen e pikëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos