Ribashkimi me bashkëshorten e tij, Annie Kilner, duket se do t’i kushtojë sa “qimet e kokës”, mbrojtësit të Manchester City dhe kombëtares angleze, Kyle Walker. Mediat britanike shkruajnë se Kilner ka kërkuar 18 milionë euro për të rimenduar pajtimin me futbollistin dhe rikthimin së bashku.
A2 raporton se 32-vjeçarja kërkon rreth gjysmën e pasurisë së Walker, e përllogaritur në rreth 30 milionë euro, pasi mbrojtësi e tradhtoi me modelen Lauryn Goodman.
Walker kishte katër fëmijë me Kilner, por në fshehtësi krijoi një raport me Goodman duke u bërë baba edhe dy herë të tjera me të.
E teksa futbollisti kërkon ribashkimin, Kilner thuhet se ka kërkuar këshilla ligjore paraprake në lidhje me një divorc të mundshëm dhe është informuar se ajo do të kishte të drejtën për gjysmën e pasurisë së Walker.
“Është një shfaqje për momentin. Kyle dhe Annie po debatojnë pothuajse për gjithçka. Ajo i ka thënë se do ta mendojë për t’i dhënë një tjetër shans vetëm nëse ai i jep asaj gjysmën e parave të tij. I është thënë se ka të drejtë në gjysmën e pasurisë nëse ndahen dhe nuk dëshiron që një qindarkë tjetër nga pjesa e saj t’i shkojë Lauryn”, tha një burim për median angleze The Sun.
Një burim tjetër tregoi se çifti është konsultuar me avokatët për arritjen e një marrëveshjeje financiare, shkruan A2. Ylli i futbollit është i gatshëm po ashtu që Kilner të marrë paratë për t’i ofruar siguri financiare fëmijëve të tyre. (A2 Televizion)