Derbi Inter -Milan do të jetë Finalja e Superkupës së Italisë. Mbrëmjen e së premtes, kuqezinjtë përmbysën me rezultatin 2-1 Juventusin në gjysmëfinale dhe siguruan një biletë për ndeshjen e të henës aty ku i presin rivalet e përjetshëm të Interit. Një ndeshje me dy tablo në Arabinë Saudite. Pjesën e parë ishin milanistët ata që e kërkonin më shumë golin, por bardhezinjtë e Thiago Mottes ishin më të saktë para portës.
Një gabim i Theo Hernandez i kushtoi milanistëve që u ndëshkuan nga Yildiz në minutën e 21. Fraksioni i parë përfundoi me avantazhin e Juventus ndërsa Milani reagoi në të dytën dhe përmbysi shifrat. Christian Pulisic barazoi shifrat në minutën e 71. Një gol që rihapi takimin dhe i dha zemër milanistëve.
Atëherë kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit një autogol i Federico Gatti vulosi fitoren 2-1 për kuqezinjtë. Juventusi humbi rekordin e pathyeshmërisë prej 14 ndeshjesh, ndërsa Milani kërkon të barazojë Interin me tetë trofe në këtë kompeticion.
Finalja e së hënës do të jetë vendimtare për historinë e Superkupës dhe rivalitetin e përjetshëm mes dy ekipeve milaneze. (A2 Televizion)