
Elbasani triumfoi 3-1 ndaj Vllaznisë në supersfidën e javës së 33-të në Kategorinë Superiore. Sukses i rëndësishëm për verdheblutë, që marrin vendin e parë në renditje.
Shkodranët e nisën mirë ndeshjen duke provuar disa herë portën kundërshtare, por pa sukses. Nga ana tjetër, vendasit në momentin më të mirë zhbllokuan shifrat me Tsague që përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes mike, shkruan A2.
Pas tij, i përhershmi Xhonatan Lajthia dyfishoi rezultatin, pas një krosimi të marrë nga Bledar Lila.
Në fraksionin e dytë, shkodranët u munduan të reagojnë dhe në minutën e 73-të Qato ngushtoi diferencat. Megjithatë dhe avantazhi minimal nuk zgjati shumë pasi 4 minuta më vonë ishte sërish Xhonatan Lajthia që realizoi të tretin për Elbasanin, me një gjuajtje të fortë nga jashtë zone.
Kaq mjaftoi që verdheblutë të bëheshin ekipi i dytë që siguron një biletë në Final 4 dhe me suksesin ndaj shkodranëve, Elbasani merr vendin e parë me 62 pikë, 2 më shumë se Vllaznia, që zbret në vendin e dytë.
Në duelin tjetër, Flamurtari befasoi duke mundur 3-1 Dinamon në Vlorë. Protagonisti kryesor i takimit ishte Maksuti që realizoi 3 gola dhe ngriti peshë stadiumin. Të vetmin gol për kryeqytetasit e realizoi Koma, që ngushtoi përkohësisht diferencat në pjesën e parë.
Pas këtij suksesi, vlonjatët shpresojnë ende te mbijetesa, ndonëse mbeten në vendin e fundit me 32 pikë, 3 më pak se Bylis, Vora dhe Tirana. (A2 Televizion)