Talenti i Dortmundit akuzohet se ka gënjyer për moshën, kush mund t’i marrë rekordet që ka thyer në Gjermani dhe Europë?

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2024, 16:31 | Futboll

Talenti i Dortmundit akuzohet se ka gënjyer për moshën, kush mund

Ish-talenti i Borussia Dortmund, Youssoufa Moukoko, aktualisht i huazuar te Nice, është përfshirë në një skandal që mund të ndryshojë historinë e tij si një nga futbollistët më të rinj rekordmenë në futbollin evropian, shkruan A2 CNN. Në një dokumentar të transmetuar nga ProSieben, një burrë që pretendon të jetë babai i tij, Joseph Moukoko, deklaroi se mosha e tij është manipuluar për ta bërë atë katër vjet më të ri nga sa është në të vërtetë. Sipas këtyre pretendimeve, Moukoko nuk është 20 vjeç, por 24.

Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, disa nga rekordet dhe arritjet e tij do të anuloheshin:

Lojtari më i ri në Bundesliga: Nëse Moukoko është 24 vjeç, ky titull i shkon Paul Wanner, i cili debutoi për Bayern Munchen në moshën 16 vjeç e 15 ditë në janar 2022.

Lojtari më i ri që ka shënuar në Bundesliga: Florian Wirtz do të merrte këtë rekord, pasi ai shënoi në moshën 17 vjeç e 34 ditë për Bayer Leverkusen në qershor 2020.

Lojtari më i ri në Champions League: Ky rekord do t’i kalonte spanjollit Lamine Yamal, i cili debutoi në moshën 16 vjeç e 68 ditë për Barcelonën.

Kombëtarja dhe Kupa e Botës: Moukoko nuk do të ishte më lojtari më i ri që ka debutuar për Gjermaninë ose që ka marrë pjesë në një Kupë Bote, duke humbur këtë titull ndaj Karl-Heinz Schnellinger.

Federata Gjermane e Futbollit (DFB) ka deklaruar se ka verifikuar dokumentet e Moukoko-s në bashkëpunim me autoritetet në Hamburg, të cilat e kanë certifikuar datën e tij të lindjes si 20 nëntor 2004. Për momentin, nuk ka asnjë vendim për të ndërmarrë veprime të tjera.

Nëse zbulohet se mosha e tij është falsifikuar, kjo do të kishte pasoja të mëdha për karrierën e tij dhe për historinë e futbollit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos