VIDEO/ Spektakël me 8 gola, Real Madrid nuk “vdes” kurrë, përmbys Sociedadin dhe arrin finalen e Kupës

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 07:25 | Futboll

Real Madrid ka prerë biletën për në finalen e Kupës së Mbretit për herë të dytë në 11 vitet e fundit, pas një barazimi dramatik 4-4 ndaj Real Sociedad në ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales, duke avancuar me rezultat të përgjithshëm 5-4 falë fitores 1-0 në “San Sebastian”.

Los Blancos nisën ndeshjen me epërsinë e një goli nga takimi i parë, por u befasuan në minutën e 15-të kur Ander Barrenetxea kaloi miqtë në avantazh duke shfrytëzuar një asist të Pablo Marín. Real u kundërpërgjigj shpejt dhe në minutën e 30-të, një pasim magjik me thembër i Vinícius Júnior i dha mundësinë Endrick të barazonte me një parabolë elegante mbi portierin Álex Remiro.

Pjesa e dytë solli emocione të mëdha. Sociedad kaloi sërish në avantazh kur një kros i Marín përfundoi në rrjetë pas një devijimi fatkeq të David Alaba. Pak minuta më vonë, Mikel Oyarzabal shënoi golin e tretë për miqtë, përsëri me ndihmën e një devijimi nga Alaba. Por Real Madrid nuk dorëzohet kurrë. Jude Bellingham shkurtoi diferencën me një goditje precize nga brenda zonës, ndërsa Aurélien Tchouaméni riktheu epërsinë e Realit në rezultat të përgjithshëm me një goditje me kokë.

Në minutat shtesë, Sociedad barazoi sërish me një gol të Oyarzabal pas një krosimi të Sergio Gómez, duke e çuar ndeshjen në kohë shtesë. Kur gjithçka dukej se po shkonte drejt penalltive, Antonio Rüdiger shënoi golin vendimtar me kokë, duke vulosur fitoren dhe kualifikimin e Real Madrid në finale.

Tani, Los Blancos do të presin fituesin e çiftit Atlético Madrid – Barcelona për të zbuluar kundërshtarin në finalen e madhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos