Një duel pretendentësh në Shkodër. Vllaznia mbetet një prej ekipeve që janë kandiduar për titullin kampion. Me një ecuri dukshëm më të mirë se vitin e kaluar, shkodranët qëndrojnë në garë me Partizanin dhe Egnatian.
Përballë Vllaznisë do të jetë Dinamo, edhe ajo e rikthyer në zonën e “Final Four” me Ilir Dajën në stol, shkruan A2 CNN.
Thomas Brdarić, trajner i Vllaznisë, shprehet: “Është një ndeshje speciale. Në sfidën e parë kundër Dinamos u paraqitëm mirë, por u penalizuam nga një karton i kuq. Po presim me padurim të luajmë, edhe sepse dua të shoh si reagon ekipi pas atij rezultati zhgënjyes me Bylisin. Dinamo ka bërë progres të mirë me trajnerin Daja dhe janë kandidat seriozë për “Final Four”. Na duhet të marrim rezultat të mirë çdo ndeshje. Objektivi është të mbetemi të pamposhtur në Shkodër. Kundërshtarët kanë patur rezultate të mira dhe do të vijnë me pretendimin për të marrë pikë. Duhet të përballemi edhe me dëmtimet, siç është rasti i Gurishtës që do të mungojë të paktën deri në fillim të 2025”.
Java e 16-të e Superiores nis këtë të mërkurë, me sfidat Elbasani-Bylis dhe Teuta-Laçi në 16:30. Vllaznia dhe Dinamo zbresin në fushë në orën 19:30 në “Loro Boriçi”.
Të enjten Skënderbeu luan me Tiranën, teksa zhvillohet edhe supersfida tjetër për titull, ndërmjet Partizani dhe Egnatias. Një duel direkt për kreun, me rrogozhinasit që në rast fitoreje mund t’i marrin të kuqve vendin e parë. (A2 Televizion)