Vllaznia në futbollin për vajza ka arritur që të kualifikohet në turin e dytë të Women's Europa Cup.
Vajzat shkodrane fituan edhe ndeshjen e dytë në shifrat 2-0 përballë ekipit ukrainas Kolos Kovalvika, duke prerë kështu biletën për në raundin tjetër, shkruan A2.
Pas këtij kualifikimi të rëndësishëm, Presidenti i Vllaznisë, Lazër Matija, tha se është i kënaqur me kalimin në raundin e dytë, por për të loja e ekipit të tij nuk ishte bindëse dhe ka nevojë për përmirësime.
Trajneri i Vllaznisë për vajza, Nikolin Lekaj, u shpreh se loja e ekipit kundërshtar ishte e pritshme, por sërish kualifikimi në raundin e dytë mbyll çdo diskutim.
Në përballjen ndaj ekipit ukrainas, golat për Vllazninë u shënuan nga shqiptaro-amerikania Tereza Deda dhe kapitenia kuqeblu Megi Doçi, gola të realizuar në pjesën e dytë.
Tashmë, për raundin e dytë Vllaznia do të duhet të presë hedhjen e shortit për të mësuar kundërshtarin e ardhshëm, ndërsa ndeshjet do të zhvillohen më 7 ose 8 tetor dhe e kthimit më 14 ose 15 tetor.
Edhe në raundin e dytë Vllaznia do të kërkojë një paraqitje dinjitoze dhe kualifikimin për më tej. (A2 Televizion)