Mes kartonave të kuq, Teuta mposht me një gol Dinamon

Nga A2 CNN
17 Shtator 2025, 18:15 | Futboll

Mes kartonave të kuq, Teuta mposht me një gol Dinamon

Teuta ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në ndeshjen e prapambetur të javës së parë, duke mposhtur Dinamon me rezultatin minimal 1-0 në “Niko Dovana”. Në një sfidë ku u dhanë më shumë kartonë të kuq sesa gola, durrsakët shfrytëzuan maksimumin nga një goditje nga këndi për të arkëtuar tri pikë të vlefshme në garën e kampionatit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, por Teuta u vu shpejt në vështirësi pas përjashtimit të Vidal me karton të kuq. Dinamo mori kontrollin e lojës, por u tregua e pasaktë përpara portës.

Në minutën e 23-të, ishte Kotobelli ai që përfitoi nga një situatë e krijuar pas një goditje nga këndi për të realizuar golin e vetëm të takimit, i cili rezultoi vendimtar.

Pavarësisht se më vonë edhe Dinamo mbeti me 10 lojtarë pas ndëshkimit të Nanit me të kuq, miqtë vijuan të sulmonin pa arritur të konkretizonin rastet e krijuara. Portieri Selmani ishte në lartësinë e duhur në disa momente kyçe, duke mbrojtur epërsinë minimale.

Teuta rikthehet kështu te fitorja duke dhënë sinjale pozitive për vazhdimësinë, ndërsa Dinamo lëshon terren në një sezon ku pretendimet janë të mëdha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos