Presidenti i klubit francez Lille, Olivier Létang, ka komentuar zërat e fundit që lidhin Edon Zhegrovën me një transferim te Juventusi, duke hedhur poshtë spekulimet për një marrëveshje të afërt mes dy klubeve.
Në një konferencë për shtyp, Létang konfirmoi se ka pasur bisedime të mëparshme me drejtuesit e Juventusit, por theksoi se situata aktualisht ka ndryshuar.
“Është e vërtetë që kemi pasur disa bisedime disa javë më parë. Dyert ndoshta ishin pak më të hapura atëherë sesa janë tani. Pozicioni im është se Edoni do të qëndrojë me ne këtë sezon”, deklaroi ai.
Létang shtoi se Zhegrova është i pranishëm në stërvitje dhe plotësisht në dispozicion të trajnerit për sezonin e ri. “Ai është stërvitur me ne, është këtu dhe në dispozicion të trajnerit. Ka shumë mundësi që ai të qëndrojë me ne këtë sezon”, tha presidenti i LOSC.
Pavarësisht raportimeve nga mediat italiane se Zhegrova ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Juventusin dhe e shikon këtë klub si hapin e radhës në karrierë, Létang mohoi që të ketë pasur ndonjë ofertë zyrtare nga “Zonja e Vjetër”.
“Deri tani nuk kemi marrë asnjë ofertë. Mediat italiane shpesh e ekzagjerojnë situatën. Nuk ka asnjë marrëveshje dhe asnjë diskutim konkret për largimin e Edonit drejt Italisë”, u shpreh ai.
Lille raportohet se kërkon rreth 25 milionë euro për kartonin e Zhegrovës, një shumë që deri më tani ka rezultuar e lartë për klubet e interesuara, përfshirë edhe Juventusin. Sulmuesi i Kosovës ka kontratë me Lille deri në qershor të vitit 2026. (A2 Televizion)