
Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë dhune ka tronditur futbollin shqiptar gjatë ndeshjes Flamurtari–Teuta, e zhvilluar në Vlorë, ku lojtarët e ekipit durrsak u sulmuan fizikisht edhe nga tifozët vendas.
Në një reagim zyrtar, KF Teuta bën me dije se në minutën e 69-të të takimit, futbollistët Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht fillimisht nga lojtarë të Flamurtarit dhe më pas nga tifozë që mësynë në fushën e lojës. Sipas klubit durrsak, episodi i dhunshëm i futi lojtarët në gjendje shoku psikologjik, duke e bërë të pamundur vijimin normal të ndeshjes.
Megjithatë, Teuta shpreh habi dhe indinjatë për vendimin e delegatit të ndeshjes, Armando Mandro, i cili kërkoi që loja të vazhdonte, duke i kërkuar policisë vetëm boshatisjen e tribunës përballë (C), pa marrë masa më të forta për dhunën e ndodhur.
Sipas deklaratës, drejtuesit dhe stafi i Teutës insistuan se ekipi nuk ishte në gjendje të riluante për shkak të rëndesës psikologjike të ngjarjes, por pavarësisht kësaj, delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte.
“Ndeshja u kthye në ferr dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm të luanin futboll”, thuhet në reagimin e klubit, duke shtuar se Teuta pranoi të vazhdonte lojën vetëm pas urdhrit të delegatit, ndonëse ishte kundër këtij vendimi.
KF Teuta thekson se disponon edhe pamje filmike shtesë, ku sipas tyre, tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por u zhvendosën në tribunën pas porte, duke rrezikuar sërish sigurinë.
Klubi i bën thirrje FSHF-së që të marrë masa për këtë ngjarje të rëndë, të zbardhë plotësisht dinamikën e saj dhe të garantojë që skena të tilla të mos përsëriten më, pasi, sipas Teutës, njollosin rëndë futbollin shqiptar. (A2 Televizion)