Zyrtare/ Cristian Chivu zgjidhet trajneri i ri i Interit

Nga A2 CNN
9 Qershor 2025, 16:20 | Futboll

Zyrtare/ Cristian Chivu zgjidhet trajneri i ri i Interit

Do të jetë Cristian Chivu, trajneri i ri i Interit. Pasi “lau duart” me Simone Inzaghin pas humbjes në finalen e Champions League, Presidenti Marotta ia ka besuar stolin një njohje të vjetër të zikaltërve.

Trajneri rumun që dikur ka veshur fanellën e Interit si lojtar, duke triumfuar në Champions League, do të jetë timonieri i ri i ekipit duke nënshkruar një kontratë dyvjeçare.

Interi e ka njoftuar arritjen e marrëveshjes me Chivu përmes një postimi në rrjetet sociale, ndërsa në mëngjes ish-mbrojtësi zgjidhi detajet e fundit burokratike dhe u lirua nga Parma.

"FC Internazionale Milano mirëpret Cristian Chivu-n si trajnerin e ri të ekipit të parë. Trajneri ka nënshkruar një kontratë me klubin Zikaltër deri më 30 qershor 2027", njofton klubi nga Milano.

Pasditen e sotme pritet që Chivu të drejtojë edhe seancën e parë stërvitore në Appiano Gentile, teksa Interi përgatitet për Botërorin e Klubeve. Për shkak të angazhimeve me ekipet kombëtare, rumuni ka vetëm disa lojtarë në dispozicion për këtë seancë të parë. Grupi i plotë do të mblidhet të mërkurën për nisjen drejt Shteteve të Bashkuara për Kupën e Botës për Klube. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos