
Sot do të shpërndahen 4 biletat për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë. 8 ekipe do të luajnë ndeshjet e kthimit të vlefshme për çerekfinalet e Kupës, një trofe i dëshiruar shumë nga skuadrat si rruga më e shkurtër për në Europë.
Në orën 16:30 Partizani do të presë Elbasanin në Arenën e Demave. Llogaritë janë të hapura. Të kuqtë janë me avantazhin e një goli nga takimi i parë, megjithatë ende nuk kanë siguruar asgjë.
Në të njëjtin orar, Vllaznia luan me Bylisin në stadiumin “Loro Boriçi”. Shkodranët fituan me rezultatin minimal në Ballsh dhe tani duan të sigurojnë kualifikimin në gjysmëfinale.
Edhe në mbrëmje ka dy takime shumë interesante. Në orën 19:30, Egnatia luan me Teutën, ndërsa Dinamo pret Tiranën në derbin që luhet në Arenën Kombëtare. Ndeshjen e parë dinamovitët fituan me shifrat 2-0, megjithatë siç e theksoi tekniku Orges Shehi, bardheblutë nuk kanë çfarë të humbin dhe do të provojnë gjithçka për një rezultat pozitiv.
Derbi Dinamo-Tirana do të luhet sot në orën 19:30 në stadiumin Arena Kombëtare. (A2 Televizion)