Basketbolli i vajzave, Flamurtari mposht Partizanin dhe sheh nga titulli kampion

Nga A2 CNN
6 Dhjetor 2025, 14:16 | Sporte të tjera

Ekipi i vajzave të Flamurtarit në basketboll ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme në rrugën drejt titullit kampion, duke mposhtur Partizanin me rezultatin bindës 95–75.

Skuadra vlonjate e kontrolloi ndeshjen që nga minutat e para, duke mos e lënë asnjëherë në diskutim epërsinë. Drejtuesja e Klubit Shumësportësh "Flamurtari", Elona Hasanaj u shpreh e lumtur për fitoren, aq më tepër ndaj një rivali direkt si Partizani, teksa një falenderim pati edhe për tifozët që mbushën sallën, shkruan A2 CNN.

"Një ndeshje e vlerësuar në çdo minutë. Një ndeshje e vlerësuar prej gati tri javësh, në një afat të gjatë kohor sepse bëhej fjalë për Partizanin. Bëhet fjalë për këto ekipe që ne kemi rivale. Është fillimi, nuk mund të themi, por jemi deri tani të sigurt drejt titullit kampion. Kemi përpara ligën unike që fillon shumë shpejt. Thjeshtë mbyllëm një ndeshje me sukses. Një falënderim i jashtëzakonshëm për tifozët. I falenderoj nga zemra. Tifozët vlonjatë e kanë në zemër ekipin e basketbollit të femrave prandaj dhe unë i kërkoj se ata janë lojtari i gjashtë në fushë", tha mes të tjerash Elona Hasanaj.

Lumturinë për fitoren nuk e fsheh as basketbollistja e Flamurtarit Brikena Muçenji.

"Jam shumë elumtur. Ishte një rezultat i merituar pasi kemi punuar shumë gjatë gjithë periudhës së kampionatit. Por edhe këto dy javë kemi bërë një punë shumë të mirë. Mendoj se fryma e ekipit dhe bashkëveprimi solli këtë rezultat", tha mes të tjerash Brikena Muçenji.

Për trajneren e Partizanit, Erta Bujari, rezultati nuk ishte i drejtë, duke gjetur disa faktor ndikues në mos marrjen e rezultatit të duhur.

"Jemi në dhjetor, por me këtë kampionat me 6 ekipe, një javë jemi pushim, dy javë vijmë nga pushimi i kampionatit të meshkujve, ishim edhe jashtë pak ritmit. Ishte edhe një ndeshje fizike të them të drejtën. Flamurtari luajti fortë fizikisht. Kishte disa kontestime të vogla. Por ekipi ynë luajti me oshilacione. Mendoj se do të jemi rivalë deri në fund dhe se çdo ndeshje nuk i ngjan tjetrës. Nuk besoj se ishte rezultat i drejtë. Aktivizuam vajza të reja. Jemi akoma në njohje të njëri-tjetrit. Mendoj se do të kemi ndryshime. Partizani është dhe do të jetë pretendent për titull. Ndoshta edhe ne do të kemi suksesin tone”, theksoi Erta Bujari.

Me këtë triumf, Flamurtari forcon pozitat e tij dhe dërgon një mesazh të qartë se mbetet një nga pretendentët kryesorë për titullin e këtij sezoni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos