
Një ceremoni e paprecedentë, ku për herë të parë sportistët nuk parakaluan në stadium, por mbi lumin Senë. Lojërat Olimpike Paris 2024 nisën në mënyrë krejt të veçantë.
Ceremonia hapëse u karakterizua nga një flotë e vërtetë anijesh, që shëtiti sportistët pjesëmarrës gjatë itenerarit 6 kilometër të gjatë mbi lumin e kryeqytetit francez, mes duartrokitjeve të turmës.
Gjithçka në një atmosferë festive, ku kërcimtarët pushtuan çatitë e godinave në Paris, ndërsa Lady Gaga performoi një këngë kabareje. Në skenë hipi edhe diva kanadeze, Celine Dion, që u rikthye të performonte në publik pas disa viteve mungesë.
Me eventin që festoi kulturën franceze, modën dhe historinë, 300 mijë njerëz përshëndetën sportistët e vendeve pjesëmarrëse. Një pjesë e tyre u larguan më herët për shkak se ceremonia hapëse u karakterizua nga rreshjet e shiut. Shumë liderë botërorë ishin të pranishëm në ceremoni, ndërsa 45 mijë forca policore dhe ushtarë ishin angazhuar për sigurinë.
Në rikthimin e Olimpiadës në Paris 100 vjet pas herës së fundit, më tepër se 10 500 atletë do të konkurrojnë në disiplina të ndryshme. Në total aty do të shpërndahen 329 medalje të arta.
Ceremonia mbyllëse e Lojërave do të zhvillohet më 11 gusht. (A2 Televizion)