FIA CEZ Hill Climb zhvilloi etapën e tretë për edicionin 2024, me garën që u spostua në Brezovicë. Pas sukseseve në Krujë dhe në Kullë, piloti nga Kroacia, Laszlo Szasz triumfoi edhe në këtë garë.
Me makinën e tij Reynard, model i Formula 3, piloti kroat ishte më i shpejti në finisht me kohën 4 minuta e 415 të mijtat. Sipas të dhënave zyrtare të garës, shpejtësia mesatare në asfalt ishte mbi 115 km/h.
Pas tij, në vendin e dytë me vetëm 4,6 sekonda distancë ishte piloti shqiptar, Gentjan Shaqiri. Pavarësisht se makina e tij Tatuus është më e ngadaltë se ajo e rivalit kroat, nënkampioni i Europës për vitin 2023 arriti të mbante ritmin në Brezovicë.
Shaqiri e përshkoi shtegun me gjatësi 7,7 kilometra për 4minuta, 5 sekonda e 653 të mijtat. Imazhet nga kamera on board e kampionit shqiptar janë mbresëlënëse dhe konfirmojnë vështirësinë e pistës.
Në vendin e tretë, duke u pozicionuar në shkallën më të ulët të podiumit ishte piloti nga Kosova, Gazmend Demolli, që me makinën e tij Norma M20 ishte mbi 9 sekonda më i ngadaltë se vendi i parë.
Me suksesin e arritur, Szasz ka vazhduar serinë e fitoreve, duke marrë parasysh se ka fituar edhe dy garat e mëparshme në Krujë dhe Kullë. Nga 24 pjesëmarrësit e garës FIA CEZ Hill Climb në Brezovicë, vetëm dy prej tyre nuk arritën ta mbyllnin konkurrimin. (A2 Televizion)