Në Lojërat Olimpike me familjen, boksierja amerikane mbledh fonde për t’i marrë në Paris

Nga Anxhela Celibashi
30 Korrik 2024, 08:01 | Sporte të tjera

Boksierja Amerikane, Jennifer Lozano praninë e saj në Lojërat Olimpike të Parisit nuk mund ta konceptonte pa pjesëmarrjen e anëtarëve të tjerë të familjes. Ajo do të garojë në 1 gusht dhe bëri gjithçka që të merrte dhe mbështetësit e saj më të mëdhenj në Paris.

Kur ajo mori biletën e artë olimpike, gjëja e parë që bëri ishte të vraponte te nëna e saj për ta përqafuar, tani ajo shpreson që të njëjtën gjë të bëjë edhe në 1 gusht, por këtë herë me medaljen e fituesit.

Biletat për familjen ajo i siguroi duke mbledhur fonde përmes shitjes së këmishave dhe duke kërkuar donacione për ta ndihmuar për këtë gjë kaq të rëndësishme për të.

U mblodhën rreth 6000 dollarë amerikanë, mjaftueshëm për pagesën e fluturimit dhe qwndrimit në Paris për 7 anëtarët e familjes së Lozanos. 

“Këta janë njerëzit e mi. Më kanë parë duke djersitur. Më kanë parë duke qarë. Ata më kanë parë të derdh  gjak. Pra, duke i parw ata në tribunë teksa duartrokasin e brohorasin për mua, është gjithçka që kam ëndërruar”. 

Ndërkohë, për familjen e saj, ajo tashmë është kampione, është fituese, edhe nëse rezultatet nuk do të jenë të mira në 1 gusht.

Jennifer Lozano është 21 vjeç dhe aktualisht është boksierja më e mirë  në SHBA në peshën 50 kg. Ajo është nga qyteti i vogël kufitar i Laredos në Teksas. Sportin e boksit fillimisht e nisi për t’u mbrojtur nga të gjithë ata qeshnin me peshën e saj dhe me theksin spanjoll, ndërsa sot veç arritjeve në SHBA, ajo synon edhe medalje në lojërat olimpike të Parisit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos