Gara e triathlonit për meshkuj, e vlefshme për Lojërat Olimpike Paris 2024 është shtyrë për shkak të nivelit të lartë të ndotjes në lumin Sena.
Gara ishte planifikuar për t’u zhvilluar sot por është zhvendosur për nesër, kur do të zhvillohet edhe gara e femrave.
Organizatorët e eventit bënë të ditur vendimin pas analizave të fundit të ujit në Senë. Siç duket reshjet e dendura të shiut që ranë të premten dhe të shtunën në Paris kanë degraduar cilësinë e ujit të lumit, me vlera të regjistruara edhe që tejkalojnë kufijtë e pranueshëm në disa pika të lumit.
Drejtori teknik kombëtar i Federatës Franceze të Triathlonit, Benjamin Maze shpjegoi se atletët kishin ndjerë "pak zemërim dhe zhgënjim" në njoftimin e shtyrjes së garës.
“Sportistët ishin zgjuar pak para orës 4 të mëngjesit. Në mëngjes morëm informacionin nga Federata Ndërkombëtare. Ka pashmangshmërisht pak zemërim dhe shumë zhgënjim, Ata u kthyen në përpjekje për të fjetur pak gjumë në mënyrë që të zgjoheshin pak më vonë dhe të shkojnë në stërvitjen e notit të planifikuar në pishinë rreth orës 10:30 të mëngjesit”, shpjegoi ai.
Ai më tej shpjegoi se atletët ishin përgatitur për këtë pasiguri. “Ne kemi punuar shumë me psikologë, trajnerë mendorë për këtë dimension", tha ai. (A2 Televizion)