Flamurtari shpallet kampion në basketboll për femra

Nga Edi Ruçi
6 Maj 2026, 08:57 | Sporte të tjera

Flamurtari shpallet kampion në basketboll për femra

Flamurtari shpallet kampion në basketboll për femra, pasi fitoi edhe ndeshjen e tretë finale ndaj Partizanit me rezultatin 76-55, duke mbyllur serinë finale 3-0.

Skuadra vlonjate siguron kështu titullin e 27-të në histori, të dytin radhazi, ndërsa në gjashtë vitet e fundit ka fituar pesë tituj kampionë, shkruan A2.

Ky sezon ishte i veçantë për Flamurtarin, pasi e mbylli pa asnjë humbje. Pas dy fitoreve të para, Flamurtari dominoi edhe në ndeshjen e tretë finale të zhvilluar në Vlorë. Ekipi krijoi një avantazh prej 8 pikësh që në periodën e parë (14-6) dhe vijoi me të njëjtin ritëm edhe në të dytën, duke e mbyllur pjesën e parë në shifrat 39-29.

Pas pushimit, Flamurtari luajti sërish më mirë, duke e thelluar diferencën dhe duke mbyllur periodën e tretë 57-38. Në 10 minutat e fundit, loja mbeti nën kontrollin e tyre, ndërsa trajnerja aktivizoi edhe lojtaret e reja, për ta mbyllur takimin 76-55.

Në fund, nisi festa në pallatin e sportit në Vlorë, me emocione të shumta nga skuadra dhe tifozët.

Më pas, Presidenti i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari, i dorëzoi kupën kapitenes Muçenji, ndërsa MVP e finales u shpall Gedeon e Flamurtarit.

Trajnerja Elona Hasanaj dhe kapitenia Muçenji e cilësuan këtë titull si një arritje fantastike.

Ndërkohë, Presidenti i FSHB, Avni Ponari, përgëzoi ekipin fitues dhe e vlerësoi sezonin si shumë pozitiv për basketbollin shqiptar.

Flamurtari shpallet kështu kampion i Shqipërisë në basketboll për femra, duke fituar këtë sezon edhe Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos