Është çelur sezoni i hipizmit në Shqipëri, ku mbi 30 garues nga trojet shqiptare kanë marrë pjesë në garën e organizuar në Korçë. Vitet e fundit, ky sport ka qenë në rritje, për shkak të investimeve në pista, organizimit të garave të ndryshme dhe promovimit të bërë nga Federata e Hipizmit.
Dashamirës dhe garues tregojnë se tashmë ky sport po “zë rrënjë”, duke kërkuar që në të ardhmen të kthehet në një profesion dhe, pse jo, që ambiciet të shtrihen edhe në arenën ndërkombëtare.
“Gara e sotme është çelja e sezonit të hipizmit. Ka pjesëmarrës nga Kosova, Tirana dhe Korça. Janë 30 kalorës që marrin pjesë, fëmijë dhe të rritur me nivele të ndryshme eksperience. Hipizmi, siç e shihni, nga gara në garë po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Ka organizime të reja, pjesëmarrës të rinj. Ka edhe turistë që vijnë; në Shqipëri është më lirë se jashtë shtetit, ndaj vijnë dhe mësojnë të kalërojnë”.
Hipizmi, përveçse si një sport, së fundmi në juglindje po shihet edhe si një atraksion turistik.
(A2 Televizion)