
World Aquatics, organi ndërkombëtar qeverisës për sportet ujore, njoftoi se Kupa Botërore e Zhytjes e planifikuar për në fillim të marsit në Meksikë është anuluar. Vendimi vjen si pasojë e shpërthimit të dhunës pas kapjes dhe vdekjes së udhëheqësit të kartelit më të kërkuar të Meksikës, veçanërisht në shtetin Jalisco.
“Siguria dhe pjesëmarrja e të gjithë atletëve mbetet një përparësi themelore për World Aquatics”, tha organizata në një deklaratë. Kapja dhe vdekja e Nemesio Oseguera-s, i njohur si “El Mencho”, bosi më i kërkuar i drogës në vend, shkaktoi një sërë incidentesh të dhunshme, duke përfshirë djegien e automjeteve dhe bizneseve, kryesisht në Guadalajara, kryeqytetin e shtetit Jalisco, ku do të zhvillohej eventi i zhytjes.
Këto zhvillime kanë ngritur shqetësime serioze edhe për një kompeticion tjetër të rëndësishëm, për Kupën e Botës në futboll, me 4 ndeshje që do të luhen pikërisht në Jalisco. (A2 Televizion)