Ka nisur edicioni i 21-të i Rally Albania ku motorët e makinat e malit sfidojnë jo vetëm njëri tjetrin por edhe terrenin e thyer malor. 200 pjesëmarrës nga 23 shtete të botës. Garuesit tregojnë emocionet e kësaj gare, ku veçojnë edhe mikpritjen që u është bërë. “Është hera e dytë në Shqipëri. Isha në të njëjtën garë vitin e fundit. Në këtë kompeticion me pëlqejnë shumë malet dhe rrugët plot shkëmbinj, është sfiduese dhe emocionuese”, thotë një pjesëmarrës i huaj.
“Nuk është hera e parë qe bëjmë garë. Është hera ime e 10. Është më shumë se pasion. Adrenalinë. Është diçka që nuk bëhet kollaj por nuk harrohet kurrë”, thotë një pjesëmarrës shqiptar për A2 CNN. “Vij nga Italia, kemi garues të fortë, gara është shumë e bukur. Shqipëria është e bukur, njerëzit e thjeshtë sidomos, në fshatra”, thotë një tjetër.
Për organizatorët e Rally Albania, ky event është me shume se një garë. “Kemi 200 pjesëmarrës, 23 shtete të botës, Australia, USA. Rally Albania është mision për Shqipërinë, vazhdojmë promovimin e Shqipërisë në vendet ku nuk ka ende turistë. Ka akoma vende të paekskploruara, ka vende që meritojnë të promovohen e popullohen sidomos nga ky sport”, thotë Julinda Dhame.
Pas Shkodrës e Korçës, etapa do të vijojë drejt Vlorës duke u finalizuar në kryeqytet. (A2 Televizion)