Të martën e kaluar, në Romë duhej të ishte zhvilluar ceremonia e prezantimit zyrtar të Xhiros së Italisë 2025. Diçka e tillë nuk ndodhi. Më 31 tetorin e kaluar, kompania RCS Sport që organizon eventin e famshëm çiklistik, njoftoi se gjithçka shtyhet “për një datë që do të përcaktohet më vonë”.
Ngjarja në vetvete është e pazakontë, sepse prezantimet e garave të mëdha të çiklizmit janë evente të rëndësishme dhe që publiku i pret. Ato tregojnë madhështinë e aktivitetit, por krijojnë pritshmëri edhe te vetë sportistët, të cilët zbulojnë edhe karakteristikat e garës, për të planifikuar sezonin.
Arsyet e shtyrjes së çuditshme lidhen me faktin se Xhiroe Italisë duhej të niste nga Shqipëria. Starti në Tiranë do të pasohej nga dy apo tre etapa në vendin tonë, përpara zbarkimit në Gadishullin Apenin. Problemi i parë lidhet me faktin se vendet që duan të mirëpresin disa etapa, për arsye turizmi dhe vëmendje të publikut, duhet të paguajnë kompaninë që e organizon.
Përveç pjesës financiare, për momentin ende nuk ka akord për nisjen e Xhiros së Italisë 2025 nga Shqipëria, edhe për shkak të disa mosmarrëveshjeve të qeverisë shqiptare dhe asaj fqinje. Sipas gazetës italiane “Il Post”, burime pranë organizatorëve kjo situatë ka shkaktuar një çështje të vogël diplomatike mes qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Kohët e fundit bashkëpunimi u shoqërua me ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për pritjen e emigrantëve që zbarkojnë në Itali. (A2 Televizion)