
Kampioni i karatesë në Lojërat Europiane, Alvin Karaqi, u nderua këtë të martë me medaljen “Ylli i Mirënjohjes Publike”. Në një ceremoni të zhvilluar në ambientet e kryeministrisë, ishte vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, që i dorëzoi Karaqit medaljen. Për talentin kuqezi, ky sukses është shumë i rëndësishëm dhe me lot në sy premton se do të japi gjithmonë maksimumin për flamurin kombëtar.
''Ju të gjithë jeni arsyeja pse unë kam fituar. Dua të falënderoj ekipet olimpike dhe presidentin, pasi duke filluar nga dita e ceremonisë së hapjes, për mua ajo ka qenë dita e medaljes. Këtë medalje, po të ishte picë, do e ndaja me të gjithë, por po e marr me vete. Faleminderit ju që në mënyrë vullnetare e ndihmoni sportin. Nuk e kam përjetuar shumë medaljen se të premten e mora, të dielën isha kujdestar në spital. Tani po e shijoj. Faleminderit për përkrahjen”.
Alvin Karaqi – Kampion i karatesë në lojërat europiane
Karaqi përveçse merret me sport, punon dhe si mjek në Zvicër. Një rast i rrallë ky, që sipas kryeministrit Edi Rama duhet të jetë një frymëzim për çdo sportist.
“Një kampion që ka një veçantë të madhe, është një shërbëtori i palodhur i shëndetit të njerëzve në Zvicër, ku standardet janë më të lartat në botë. Ai përbën një shembull frymëzues dhe të jashtëzakonshëm për këdo, që në rrugën e profesionit të vet është i gatshëm të angazhohet, pavarësisht mundit dhe vështirësive dhe jeton me idenë e ngjitjes në majë dhe të qenit fitimtar.
Edi Rama – Kryeministër i Shqipërisë
Alvin Karaqi garoi për peshën 84 kg dhe arriti të fitojë medaljen e artë në Olimpiadën Europiane në Krakovë në qershor të këtij viti. (A2 Televizion)