Një sportist italian ka ndërruar jetë katër ditë pasi u ndje keq gjatë finales së garës së orientimit për meshkuj, në Botërorin që po zhvillohet në Chengdu të Kinës.
Të premten, 29-vjeçari Mattia Debertolis u gjet pa ndjenja nga organizatorët, pasi GPS-ja e tij tregoi se nuk po lëvizte më.
Pavarësisht kujdesit të menjëhershëm mjekësor që iu dha, Debertolis nuk arriti të mbijetojë dhe ndërroi jetë katër ditë pas incidentit, shkruan A2.
Tom Hollowell, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Orientimit (IOF), shprehu ngushëllimet më të thella për humbjen e sportistit italian, duke vlerësuar gjithashtu kontributin e tij në sport.
Mattia Debertolis jetonte në Suedi, ku po ndiqte studimet për doktoraturë në një universitet të Stokholmit dhe ishte i diplomuar si inxhinier ndërtimi.
(A2 Televizion)