Tronditet bota e boksit, gjendet i pajetë kampioni Ricky Hatton

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 12:54 | Sporte të tjera

Tronditet bota e boksit, gjendet i pajetë kampioni Ricky Hatton

Ish-kampioni botëror i boksit, Ricky Hatton, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij me vlerë 1.7 milion paund në Hyde, Greater Manchester, më 14 shtator, në moshën 46-vjeçare. Hetimi paraprak zbuloi se trupi i tij u gjet nga menaxheri dhe miku i tij i afërt, Paul Speak, i cili kishte shkuar për ta marrë për një fluturim drejt Dubait.

Sipas dëshmisë së dhënë në seancën gjyqësore, Hatton ishte parë për herë të fundit më 12 shtator dhe ishte “dukur mirë”. Megjithatë, ai nuk u paraqit në një event të planifikuar dhe më pas u gjet “i pajetë” me një “litar” rreth qafës.

Prokurorja Alison Mutch deklaroi se shkaku paraprak i vdekjes është “varja”, ndërsa çështja do të rikthehet në gjykatë më 20 mars 2026, pasi të shqyrtohet dosja e plotë e policisë dhe dëshmitë shtesë.

Familja dhe miqtë e tij kanë thënë se Hatton ishte në “një periudhë të mirë” të jetës, duke planifikuar një rikthim në ring në dhjetor dhe udhëtime me fëmijët e tij. Djali i tij, Campbell, u shpreh se familja po përpiqet të përballet me dhimbjen “ditë pas dite”.

Në funeralin e tij morën pjesë mijëra fansa dhe figura të njohura si Liam Gallagher, Wayne Rooney dhe Tyson Fury, duke nderuar një nga ikonat më të dashura të boksit britanik. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos