Bogdan dhe Natalia Semenovych janë çifti i bashkëshortëve ukrainas të cilët fituan Maratonën "Enkelana" në garën 21 km për meshkuj dhe femra. Edhe pse jo të mësuar me klimën e Pogradecit dhe terrenin ata ia arritën që sëbashku të dominojnë garën nga Lini në Pogradec duke lënë pas shumë sportistë të tjerë profesionistë.
“Vrapimi shkoi mirë, mbrëmja ishte e freskët, mund të them edhe pista ishte e sheshtë. Më pëlqeu. Erdhëm për të pushuar dhe për të vrapuar. Ndjehet lartësia prej 700 metrash mbi nivelin e detit. Për mua ishte hera e parë në Shqipëri dhe do vij përsëri, mbase për të vrapuar”, tha Bogdan.
“Vrapova 21 km, është hera ime e parë në Pogradec. Ishte jashtëzakonisht e vështirë, ndjehet lartësia këtu, këmbët nuk vraponin ashtu si do të dëshiroja. Por, në përgjithësi, jam e kënaqur, sepse ishte mot i mirë pasi nuk ishte nxehtë. Ishte një garë me rivalitet por unë munda ta bëja më mirë”, shtoi Natalia.
Ndërkohë në garën 10 km fituesi i kësaj disipline për meshkuj ishte Bledar Mesi nga Forcat e Armatosura ndërsa për femra atletja nga Janina e Greqisë, Chrysa Androustou. Ata arritën që në garën 10 km të dominonin qysh në fillim të garës me shkëputjen që bënë ndaj të tjerëve.
"Ishte një garë shumë e bukur dhe e fortë. Kisha një konkurrencë me shokun tim Ilir Këllëzi, por unë isha në grand formë pasi u shkëputa që në fillim. Në këtë atmosferë në këtë qytet të luleve është fantastike, kam një falenderim për Ministrinë e Mbrojtjes për mundësinë që më jep të merrem me aktivitete, pasi ne jemi një grup nga FA që marrim pjesë në çdo eveniment sportiv, sidomos tek maratona e Pogradecit pasi është çdo vit edhe më i bukur si eveniment", deklaroi Bledar Mesi.
"Jam nga Janina, Greqi, është hera ime e parë në këtë garë ndërkombëtare. Jam shumë e lumtur, gara ishte shumë e bukur pasi vraponim përgjatë liqenit dhe dua të vij sërish vitin tjetër. Si garë nuk ishte e vështirë", u shpreh Chrysa Androutsou.
Edicioni i 3-të i Maratonës ndërkombëtare Enkelana bëri bashkë në garë rreth 700 pjesëmarrës nga 38 vende të botës. Ndërkohë për shkal të kësaj gare sportive pati bllokim të aksit nacional Lin-Pogradec dhe rrugëve të brendshme të qytetit të cilat shkaktuar jo pak radhë dhe anomali në trafik. (A2 Televizion)