Youth Sports Games, Split, kryeqyteti i sportit për një javë në Kroaci

Nga A2 CNN
20 Gusht 2026, 19:51 | Sport

30 vite histori, mijëra fëmijë dhe një qytet që për disa ditë kthehet në kryeqendrën e sportit për të rinjtë. Split është këtë javë në qendër të vëmendjes sportive me finalen ndërkombëtare të Youth Sports Games.

E mbështetur edhe nga UEFA që nga viti 2020, Youth Sports Games, edhe këtë verë, nuk pret vetëm kampionë të rinj, por edhe ëndrra të reja. Pjesëmarrja është falas, duke e bërë sportin të aksesueshëm për të gjithë, pavarësisht mundësive ekonomike.

Nga një ide e lindur 30 vite më parë, sot Youth Sports Games janë kthyer në një traditë evropiane. Dhe Spliti i Kroacisë është vendi mikpritës.

Nga data 17 deri më 21 gusht, fëmijë dhe të rinj nga pesë vende të Evropës: Kroacia, Bosnje-Hercegovina, Serbia, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut, janë mbledhur në Split për të garuar, shkruan A2CNN. 

Disiplina të ndryshme sportive bëjnë bashkë emra të mëdhenj dhe të rinj, të cilët i shohin ata si modele suksesi.

Futbolli, basketbolli, hendbolli, volejbolli, tenisi, pingpongu, shahu dhe atletika janë disa nga sportet që bashkojnë talente të reja me një mesazh të vetëm: sporti është për të gjithë.

Por kjo nuk është thjesht një garë për medalje.

Për 30 vite, Youth Sports Games kanë ndërtuar një traditë ku fëmijët mësojnë se fitorja nuk matet vetëm me rezultatin, por edhe me respektin për kundërshtarin.

Në edicionin jubilar, organizatorët presin më shumë se 140 mijë pjesëmarrës vetëm në Kroaci, ndërsa në tre dekada aktiviteti kanë bërë bashkë miliona fëmijë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos