
2019 ishte një vit me intensitet të lartë zhvillimesh politike. Nisi me një opozitë dhe përfundoi me një tjetër në Parlament, protesta, zgjedhje pa opozitën, si dhe konflikte institucionale.
Kronologjia e 12 muajve reflektohet edhe tek natyra dhe cilësia e motiveve për të cilat deputetët u drejtohen institucioneve për informacion: nga politika e kauzave të forta tek “sikletet” rutinë të elektoratit. Me një opozitë më pak impenjative, deputetët socialistë tashmë kanë kohë të kërkojnë më tepër të dhëna për spostimin e kabinës elektrike nr.7, si në rastin e Ervin Bushatit, apo Kongresin e Parë të Grave Antifashiste Berat, si në rastin e Ermonela Felajt.
Në fakt, kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare ka qenë mjaft aktive, sipas dokumentit të publikuar nga Kuvendi, për çështje që lidhen me zonën e saj elektorale, duke kërkuar dhe shtesë buxheti për Bashkinë e Kuçovës, investime në spital, apo rehabilitimin e shtëpive të familjeve rome në atë qytet.
Me çështje të energjisë elektrike apo pastrim kolektorësh për zonën e saj është marrë dhe Antoneta Dhima. Vasilika Hysi, Elona Gjebrea apo Xhemal Qefalia janë fokusuar në çështje që lidhen me objektin e punës së komisioneve ku bëjnë pjesë, si mbrojtja e pakicave, rezultatet e luftës antitrafik apo dhe siguria kombëtare pas deklaratave të Presidentit të Republikës se në 8 qershor mund të digjej Parlamenti.
Pikërisht mbi Presidentin e Republikës duket se ka qenë pjesa më e madhe e shkresave të drejtuara nga nënkryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi, drejtuar institucioneve të sigurisë dhe shërbimeve të inteligjencës. Numri i kërkesave të tij është pak më i ulët se ai i Albana Vokshit. Para daljes së opozitës nga Parlanenti, ish-kryetarja e Komisionit të Medias dhe Edukimit, ka qenë më aktivja në mbledhjen e informacioneve nga institucionet shtetërore për t’u përballur në Kuvend apo komisione me kolegët e mazhorancës.
Jorida Tabaku nga Komisioni i Ekonomisë, apo Grida Duma nga ai Mirëqenies Sociale e Shëndetësisë po ashtu kanë regjistruar një numër të lartë kërkesash.
Kontratat koncensionare, rimbursimi i medikamenteve apo dhe doktoratura e ministres Manastrliu ishin kauza të opozitës së shkuar parlamentare, bazuar mbi informacione shtetërore. Informacione të cilat tashmë janë më tepër lokaliste. (A2 Televizion)