
Studentët i rikthehen protestave para Ministrisë së Arsimit. Ashtu si 6 muaj më parë, por shumë më të paktë në numër.
Të rinjtë kërkuan plotësimin e kërkesave të pambajtuara nga qeveria. Me tymuese në duar dhe me fletë të bardha, për të treguar se Pakti për Universitetin është një dokument bosh, studentët kanë publikuar 14 kërkesa.
Ata këmbëngulin për anulimin e ligjit të arsimit të lartë, përgjysmimin e tarifës së ciklit master, investime në fakultete, rritje të peshës së votës studentore, por dhe rritje pagash për pedagogët.
Gjatë protestës, studentët, kryesisht nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Shkencave Sociale, hodhën tymuese, shashka si dhe qëlluan me gurë Ministrinë e Arsimit. Policia nuk ndërhyri gjatë protestës. Madje forcat Shqiponja dhe ato të rendit, të pozicionuara pas Ministrisë nuk janë shfaqur para studentëve. Ndërkohë të rinjtë deklaruan se do të ketë të tjera protesta, por pa një datë të caktuar. (A2 Televizion)