
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka reaguar menjëherë pas akteve të dhunës së disa studentëve gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Shahini shprehet se në protestë u cënua rëndë imazhi i Studentit Protestues nga një grusht individësh partiakë.
“Ishte një trishtim për mua, por edhe një cënim i rëndë i imazhit të Studentit Protestues, që sot para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë një grusht individësh partiakë e rrëmbyen me dhunë masën e vogël të studentëve duke e kthyer në sfond dhune.
Thanë se do të vinin të kërkojnë cilësi të arsimit të lartë duke protestuar në të njëjtin vend ku protesta e dhjetorit i hapi rrugën Paktit kuptimplotë për Universitetin. Por thjesht thyen xhamat e institucionit sipas modelit më të keq të politikës opozitare”, shkruhet në statusin e ministres Shahini.
Më tej, ministrja ripërsëriti qëndrimin se angazhimet e qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit në kuadër të Paktit për Universitetin do të përmbushen. “Ne do të vazhdojmë të mbajmë angazhimet e Paktit për Universitetin, që sot ka sjellë në jetën universitare bibliotekën digjitale, portalin e transparencës, bursat për ekselentët e studentët në nevojë, kantieret për përmirësimin e kushteve nëpër konvikte, zhvillimin e kartës për 110 mijë studentë të universiteteve publike”, përfundon statusi i ministres Shahini. (A2 Televizion)